Biznes-plani “Glass Recycling” u shpall më i miri më garën e 40 biznes-planeve në UBT

Riciklimi i qelqit, një investim shumë profitabil në Kosovë

Studentët e UBT-së, Florian Piraj, Njazi Shehu, Përparim Salihu e Uran Çabra, të gjithë në vitin e tretë në drejtimin Menaxhimi i Mekatronikës, si dhe Mimoza Braha, në vitin e tretë në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, zunë vendin e parë në garën e organizuar në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë. Biznes-plani i emërtuar “Glass Recycling” shpalos idenë për krijimin e një kompanie prodhuese dhe ricikluese të ambalazheve të pijeve, ushqimit, farmaceutike dhe kozmetike.

Florian Piraj, në emër të anëtarëve të grupit, flet për projektin.

 

UBT News: Ju keni zënë vendin e parë me biznes-planin e emërtuar “Glass Recycling”. Si lindi ideja për këtë temë dhe kush ishin anëtarët e tjerë të grupit?

Piraj: Ne jemi zgjedhur si biznes-plani më i miri në mesin e më se 40 punimeve, një konkurrencë e denjë nga të gjithë studentët, që nuk e bëri të lehtë fitoren tonë. Kompania “Glass Recycling” është kompani prodhuese dhe ricikluese e ambalazheve të pijeve, ushqimit, farmaceutike dhe kozmetike. Ideja e këtij biznes-plani na lindi duke i parë rrethanat në të cilat po jetojmë në Kosovë dhe sfidat ekologjike dhe shëndetësore që po kalon bota si pasojë e papastërtisë, rrezikimit të shëndetit, dhe një jete me një ambient jo të pastër. Prandaj, duke e marrë qelqin si bazë, i cili është 100% ekologjik dhe nuk e dëmton ambientin, ruan shëndetin e njerëzve në krahasim me dëmet që shkakton plastika dhe riciklohet 100 për qind.
Biznes plani “Glass Recycling” paraqet krijimin e një biznesi me karakter prodhues dhe riciklues dhe kjo paraqet dy nga pikat kryesore për të cilën jemi fokusuar. Kosova ka nevojë për një rritje ekonomike, për shkak të papunësisë së madhe, kështu që Kompania ”Glass Recycling” paraqet një mundësi për punësimin e njerëzve brenda Kosovës, ndërsa mundëson ruajtjen e ambientit dhe krijimin e kushteve për një jetë sa më të shëndetshme, gjë që është një prej gjërave primare në botën perëndimore, që po lufton me gjërat negative të cilat po e dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e njerëzve.

 

UBT News: Cilët faktorë ndikuan në përzgjedhjen e temës?

Piraj: Faktorët që kanë ndikuar që të orientohemi në një biznes të tillë prodhues dhe riciklues përfshijnë dy pika kryesore: Në pikën e parë jemi fokusuar me ndërmarrje për të cilat ka nevojë Kosova, d.m.th. ndërmarrje prodhuese e më pak ndërmarrje shërbyese për arsye të gjendjes ekonomike dhe papunësisë së madhe në të cilën gjendet Kosova. Andaj e kemi për detyrë që me këto projekte të gjenerojmë vende të reja të punës. Pika e dytë në të cilën jemi orientuar është ruajtja e ambientit dhe ruajtja e shëndetit të njerëzve, gjë që po synohet në maksimum të arrihet në vendet perëndimore të zhvilluara. Gjithashtu sfidën e bizneseve kosovare dhe në përgjithësi të vendeve të Ballkanit për eksportimin e produkteve të tyre jashtë Ballkanit, për arsye të mosplotësimit të standardeve të produkteve të tyre për ruajtjen e cilësisë së produkteve, ruajtjen e ushqimit, ruajtjen e shëndetit të popullatës dhe ruajtjen e ambientit.

UBT News: A mund të na jepni sa më shumë detaje rreth përmbajtjes së biznes-planit dhe si e keni planifikuar ju realizimin në praktikë të idesë suaj?

Piraj: Prodhimtaria kosovare po e kalon një periudhë të rëndësishme recesioni apo ngritje nga një fazë dëmtuese dhe kjo fazë po parashihet të jetë e ndritur. Andaj, duke parë këtë simulim të prodhimtarisë në Kosovë dhe nevojën që ka Kosova për produkte vendore dhe në përputhje me kërkesat vendore, lindi ideja për krijimin e kompanisë “Recycle glass” e cila bën riciklimin e mbetjeve të qelqit, zakonisht ambalazheve (shisheve) të pijes, ushqimit, farmaceutike dhe kozmetike, si dhe prodhimin e tyre.

Kompania “Glass Recycling” është kompani prodhuese e produkteve të qelqit (shishe të formave dhe madhësive të ndryshme për pije, farmaceutike dhe kozmetike ashtu edhe e kavanozave me forma edhe madhësi të ndryshme) dhe ricikluese e mbetjeve të qelqit (ambalazheve të pijeve, ushqimit, farmaceutike dhe kozmetike).

Qëllimi afatgjatë i kompanisë “Glass Recycling”, si kompani e vetme e këtij lloji në vend dhe në rajon, është që të mbulojë kërkesën gjithnjë e më të shtuar të ambalazheve nga qelqi, eliminimi në maksimum i importit dhe ofrimi i produkteve adekuate, të nevojshme dhe specifike, në varësi nga dëshirat e konsumatorëve.
Krijimi i vetëdijes qytetare për ruajtjen e shëndetit dhe të ambientit nga përdorimi i këtyre produkteve, si dhe riciklimi i këtyre produkteve gjithashtu nga ana qytetare duke iu kthyer me përfitime materiale është një nga qëllimet kryesore të kompanisë “Glass Recycling”.

Kompania “Glass Recycling” është kompani start-up dhe ideja e krijimit të kompanisë në vetvete përfshin tri arsye kryesore:
1. Arsyeja ekonomike: Nëse nisemi nga aspekti ekonomik, atëherë marrim parasysh faktin se në Kosovë nuk ka kompani as ricikluese e as prodhuese të këtyre produkteve, dhe se të gjitha ato kompani të cilat i përdorin këto ambalazhe nga qelqi i importojnë kryesisht nga Greqia dhe Bullgaria, duke hasur në vështirësi (barriera) të shumta si politike ashtu edhe ekonomike gjatë importit të tyre dhe kostove të shtuara të këtyre produkteve kur ato importohen nga këto shtete. Gjithashtu edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia e Bosnja e Hercegovina nuk kanë kompani prodhuese të këtyre lloje të produkteve dhe gjithashtu i kanë probleme pothuajse të tilla gjatë importit të këtyre produkteve dhe numrin në rritje të përdorimit të këtyre produkteve.
Këto janë vetëm disa nga arsyet ekonomike pse duhet të krijohet kompania “Glass Recycling”, duke e mbuluar një treg me një popullsi rreth 25 milionë banorë.
2.Arsyeja shëndetësore: Qelqi është material 100 për qind i ricikluar dhe të mirat që konsumatorët i kanë nga konsumimi i produkteve që si ambalazh përdorin qelqin janë të shumta. Nëse e bëjmë një krahasim të drejtpërdrejtë me produktet e plastikës, nga ana shëndetësore, qelqi ka këto përparësi:
a. Qelqi minimalisht toksik, kurse plastika kap një përqindje të madhe të helmimit të
produkteve në të cilat përdoret si ambalazh.
b. Shija e produkteve në të cilat përdoret si ambalazh qelqi e ruan shijen origjinale të
atyre produkteve për një kohë shumë më të gjatë sesa ambalazhi i plastikës.
c. Ruajtja dhe mbyllja e ambalazheve nga qelqi është më shumë më e mirë dhe më e sigurt
sesa ambalazhet e plastikës.
3.Arsyeja ambientale: Një ndër brengat kryesore të dy shekujve të fundit është çështja ambientale dhe veprimet që po ndërmerren për eliminimin e produkteve të padegradueshme dhe futjen në përdorime produkteve bio, të cilat mund të riciklohen dhe të mos e dëmtojnë ambientin është primare, prandaj qelqi është material 100 për qind i riciklueshëm dhe tërësisht i padëmshëm për ambientin dhe degradimin e tij në ambient.

 

UBT News: Sa do të kushtojë zbatimi në praktikë i këtij plani dhe a jeni optimistë se kjo mund të bëhet?

Piraj: Projekti i ndërtimit dhe funksionimit të Fabrikës për prodhimin dhe riciklimin e ambalazheve të qelqit “Glass Recycling”, sipas rezultateve preliminare të cilin e kemi përllogaritur, del të jetë 2,500,000 €, që në vete përfshin ndërtimin e fabrikës me 6000m2 sipërfaqe, me 22 të punësuar dhe me një kapacitet prodhues vjetor me më shumë se 10 milionë produkte.
Pasi që kostoja e implementimit të projektit është shumë e konsiderueshme e të hollave, duhet të shqyrtohet ndërmjet ekspertëve të ekonomisë, atyre të inxhinierisë dhe kimistëve, të cilët e njohin fushën e prodhimtarisë së qelqit, për të arritur deri në konstatimin përfundimtar se a ia vlen dhe se në çfarë momenti kohor duhet të investohet për realizimin e kësaj fabrike.
Pasi që ne kemi menduar që këtë kompani ta hapim me investime të marra nga investitorë, atëherë jam shumë optimist se në Kosovë ka investitorë apo biznesmenë që mund të investojnë në këtë projekt afatgjatë.

 

UBT News: Cila është arsyeshmëria e zbatimit të këtij projekti?

Piraj: Arsyeshmëria e zbatimit të këtij projekti është primare për bizneset kosovare dhe të rajonit, të cilat i përdorin ambalazhet e qelqit për të i ruajtur produktet e tyre. Duhet cekur se në Ballkan (Evropën Jugore) ekzistojnë vetëm dy fabrika të cilat bëjnë këto lloje të prodhimeve, njëra është në Greqi dhe tjetra në Bullgari. Me funksionimin e kësaj fabrike, tregu në të cilin do të operojë është me një popullsi me mbi 25 milionë banorë, dhe duke marrë parasysh numrin e produkteve që një njeri përdor brenda një viti, atëherë del se kompania “Glass Recycling”, nëse synon 15-20% të tregut të përgjithshëm të Evropës Jugore, atëherë do t’i përmbushë pritjet e parapara për afatin 3 vjeçar të funksionimit.

 

UBT News: A mund të shtoni ndonjë detaj që është i rëndësishëm për projektin apo procesin e hartimit të tij.

Piraj: Hartimi i një biznes plani është shumë i rëndësishëm dhe duhet të bëhet në mënyrë të veçantë, në mënyrë që kur t’i ofrohet investitorëve t’i bindë ata për investime të mundshme në atë biznes-plan. Prandaj, edhe ne biznes-planin tonë kemi synuar që ta ndërtojmë me një gjuhë sa më të thjeshtë dhe me të kuptueshme, por duke ofruar sa më shumë fakte reale për biznesin në fjalë dhe mundësitë që do të na ofronte realizimi i këtij projekti.

 

Legjenda: Projekti i ndërtimit dhe funksionimit të Fabrikës për prodhimin dhe riciklimin e ambalazheve të qelqit “Glass Recycling”, sipas rezultateve preliminare të cilin e kemi përllogaritur, del të jetë 2,500,000 €, që në vete përfshin ndërtimin e fabrikës me 6000m2 sipërfaqe, me 22 të punësuar dhe me një kapacitet prodhues vjetor me më shumë se 10 milionë produkte