Biznes-plani “ProBike” zuri vendin e dytë në garën e biznes-planeve në të mira
Një kompani biçikletash për Prishtinën – ide e studentëve të UBT-së
“Për realizimin e këtij plan biznesi jemi bazuar në planin urbanistik të komunës së Prishtinës. Mendojmë se do të kemi mbështetje të plotë nga ana e tyre, sepse një ndër qëllimet tona për krijimin e këtij biznesi është mbrojtja e ambientit. Gjithashtu, qëllim tjetër është edhe krijimi i një kulture „sportive“ përmes ngasjes së biçikletave nga të gjitha grup-moshat mbi 16 vjet (qofshin ata të rritur apo të moshuar)”, thotë Teuta Dervishi
Biznes-plani “ProBike”, i punuar nga studentët Teuta Dervishi, Armira Fetoshi, Palush Doda, Kaltrina Mehmeti dhe Erza Mehmeti, në garën e organizuar në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë, u vlerësua me vendin e dytë.
Të gjithë anëtarët e grupit janë në përfundim të studimeve, pra në fund të vitit të tretë në MBE.
Teuta Dervishi, pjesë e grupit që realizoi biznes-planin shpjegon për “UBT News” rrjedhën e përgatitjes së këtij biznes-plani nga ideja deri në realizimin final.
UBT News: Ju keni zënë vendin e dytë me biznes-planin e emërtuar “ProBike”. Si lindi ideja për këtë temë dhe kush ishin anëtarët e tjerë të grupit?
Dervishi: Së pari motoja e biznesit është “Ride and be HEALTHY“. Ideja ka lindur si rrjedhojë e mungesës së këtij lloj shërbimi në kryeqytet dhe pritet që të plotësojë kërkesat dhe nevojat e tregut dhe të shoqërisë për lehtësim në komunikacion dhe për një lëvizje më efiçiente. Me një plan të detajizuar dhe me hulumtimin e bërë deri tani, e shohim se qëllimi ynë është më se i realizueshëm në Prishtinë.
Për realizimin e këtij plan biznesi jemi bazuar në planin urbanistik të komunës së Prishtinës. Mendojmë se do të kemi mbështetje të plotë nga ana e tyre, sepse një ndër qëllimet tona për krijimin e këtij biznesi është mbrojtja e ambientit. Gjithashtu, qëllim tjetër është edhe krijimi i një kulture „sportive“ përmes ngasjes së biçikletave nga të gjitha grup-moshat mbi 16 vjet (qofshin ata të rritur apo të moshuar).
UBT News: Cilët faktorë ndikuan në përzgjedhjen e temës?
Dervishi: Deri tek ideja e këtij biznesi kemi ardhur duke u bazuar në përvojat tona të përditshme jo të mira në komunikacionin e dendur. Kjo ide bazohet edhe në planin urbanistik të komunës për ndërtimin e shtigjeve për biçikleta. Ky biznes është start-up, i cili parashihet të jetë biznes funksional dhe i vetmi i këtij lloji në Kosovë. Veprimtaria e tillë parashikohet të jetë profitabile dhe me impakt pozitiv në shoqëri pasi që konsiderohet si një aktivitet atraktiv.
UBT News: A mund të na jepni sa më shumë detaje rreth përmbajtjes së biznes-planit dhe si e keni planifikuar ju realizimin në praktikë të idesë suaj?
Dervishi: Ideja e projektit është zhvillimi i një start-up, i cili është i destinuar të jetë biznes shërbyes. Ky lloj shërbimi ekziston në tregun global, mirëpo në Kosovë është shërbim inovativ dhe i pa realizuar deri më tani. Karakteristika e këtij shërbimi qëndron tek pajisja e biçikletave me GPS, në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i mundshëm i tyre, dhe tek dizajni i biçikletave (ngjyra) që i dallon ato sipas lokacioneve të caktuara. Biçikletat karakterizohen me tipare unike të dizajnimit. Mënyra e shfrytëzimit të këtij shërbimi është shumë e thjeshtë. Biçikleta merret me qira nga konsumatori në lokacionin më të afërt të tij dhe shfrytëzohet nga ai varësisht sipas nevojës, dhe në fund biçikleta dorëzohet në lokacionin më të afërt të tij (nuk është e domosdoshme të kthehet në lokacionin që është marrë). Konsumatori i cili e merr për shfrytëzim biçikletën, duhet të regjistrohet (skenojë dokumentin identifikues të tij) në aparatin e identifikimit, sa herë që e merr dhe e dorëzon biçikletën.
Lokacioni për zhvillimin e këtij biznesi do të përfshijë disa pika të kryeqytetit: Bregu i Diellit II (Banesat e Bardha), Lagjja e spitalit (Rruga e re), Dardani (Bill Kintoni), Pallati i Rinisë dhe Komuna e Prishtinës.
Pasi që intensiteti i rivalitetit të konkurrencës është i ulët, kjo bën që mundësia për fitim të jetë e lartë. Trendi potencial i rritjes është i lartë dhe pritet që kërkesa për këtë shërbim të jetë e madhe sepse popullsia e Kosovës karakterizohet kryesisht me moshë të re (rreth 65 për qind). Trendet e rritjes ekonomike që do të ndiqen nga treguesit më të lartë të punësimit dhe ndryshimet shoqërore ekonomike, do të rrisin kërkesën për shërbime të tilla. Si rezultat kërkesa për përdorimin e biçikletave do të jetë më e lartë. Kjo rritje konsiston edhe me faktin e vetëdijesimit të njerëzve për shfrytëzimin e biçikletave, duke marrë parasysh ndikimet pozitive në ambient, shëndet dhe buxhet individual.
Shërbimi jonë është i përshtatshëm për shkak të vlerës së diferencuar që ofron në treg, për tri arsye kryesore: Shmangia e trafikut të mbingarkuar urban; Mbrojta e ambientit; Efiçiencë në kryerjen e punëve.
Mosha 16-65 vjeç është mosha e cila përfshin pjesën më të madhe të tregut të synuar. Arsyeja e përdorimit: Individët më së shumti mund të përdorin biçikletën për punë, për sport dhe për argëtim. Për ofrimin e këtij shërbimi ekzistojnë disa kushte që duhet plotësuar për të arritur shërbimin përfundimtar. Si inpute llogariten furnizimi (blerja) me biçikleta, GPS, aparatura për pagesë dhe skanimin e dokumenteve identifikuese, hapësira për raftin e biçikletave dhe për zyrën kryesore , rrjeti i sigurisë, pajisje dhe produkte për mirëmbajtje dhe fuqia punëtore. Në secilin lokacion do të ketë nga 50 biçikleta, ku gjithsej do të jenë 250 biçikleta në 5 lokacione.
UBT News: Sa do të kushtojë zbatimi në praktikë i këtij plani dhe a jeni optimistë se kjo mund të bëhet?
Dervishi: Investimet fillestare për realizimin e këtij biznesi plani në praktikë arrijnë në vlerë 26,500 euro, ndërsa ProCredit Bank do të jetë sponsor për blerjen e biçikletave në vlerë prej 62,500 Euro, dhe çdo lokacion do të ketë biçikletat me një ngjyrë nga logoja e ProCredit Bankës.
UBT News: Cila është arsyeshmëria e zbatimit të këtij projekti?
Dervishi: Duke marrë parasysh mungesën e këtij lloji të shërbimit në Prishtinë, arsyeshmëria e zbatimit të këtij projekti është lehtësimi i komunikacionit dhe qarkullimi më i lehtë i qytetarëve nëpër destinacione të ndryshme të Prishtinës. Rezultat më i madh i kësaj është zvogëlimi i numrit të automjeteve në komunikacion dhe ndikon drejtpërdrejtë në mbrojtjen e ambientit dhe krijimin e një kulture “sportive” për qytetarët. Prandaj ne jemi shumë optimistë në lidhje me realizimin e këtij biznes-plani dhe besojmë fuqishëm se do të kemi sukses në zhvillimin e këtij shërbimi në kryeqytet.