Në një ceremoni të organizuar sot në UBT, u bë inaugurimi i Inkubatorit Virtual të Kosovës dhe Start up Qendrës në UBT, të krijuara me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, përfaqësues të institucioneve dhe të biznesit, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave.
Pos projektit të inauguruar sot, Ambasada e SHBA ka përkrahur garën për biznes-plane të studentëve të UBT-së, ndërsa në kuadër të projektit është publikuar edhe revista “UBT Entrepreneurship Journal”, në të cilën janë publikuar një varg aktivitetesh, si dhe janë prezantuar ish-studentë të UBT-së, të suksesshëm në bizneset e tyre.
“Ky moment është historik. Një inkubator virtual i Kosovës. Kemi theksuar edhe në përmbylljen e pjesës së parë të projektit – Misioni ynë, vizioni ynë, ëndrra jonë po realizohet me ndihmën e Ambasadës Amerikane. Është një proces që ndihmon të gjithë këta pjesëmarrës. Pika e parë është që UBT ka program për Biznes dhe Teknologji. Shkolla që kanë mundësi të gjenerimit të ideve e produkteve. UBT është shkolla më e madhe e ICT në Ballkan. Këtë pjesë duhet ta shfrytëzojmë që studentëve t’ua mundësojmë të krijojnë ndërmarrësi. T’i mbështesim e të gjenerojmë vende të reja të punës e të krijojmë ndërmarrje në Kosovë. Janë të gjitha kushtet që ne ta mbështesim zhvillimin”, theksoi rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, duke folur në ceremoni.
Sipas tij, virtualizimi i inkubatorit mundëson që nga forma fizike të mbështeten në formën virtuale. “Ne kemi mbështetje regjionale. Mendoj se do të ketë shumë rezultate. Ne e kemi testuar në UBT, e ka pjesën e network, pjesën private etj. Pra i ka të gjitha që na nevojiten”, vijoi Hajrizi.
Z.Hajrizi theksoi në vazhdim se idetë e reja do të mbështeten nga këndi i ndërmarrësisë. “Me mbështetjen e Ambasadës së SHBA ne kemi arritur që ta krijojmë këtë. Në të gjitha qytetet ne do ta krijojmë një kësi këndi. Me këtë krijohet një decentralizim/regjionalizim. Ne do të mbështesim të gjitha bizneset, por do të ketë përparësi inovacioni”, theksoi z.Hajrizi.
Duke u ndërlidhur me inovacionin, ai përkujtoi se studentët e UBT-së e kanë zënë vendin e parë në NASA me idetë e tyre.
Ai gjithashtu tha se UBT është një nga universitetet e vetme që ka lëndë profesionale.
”Ne duhet të identifikojmë pjesën e njerëzve më të dalluar. Sa prej tyre do të regjistrojnë biznese, ne do të tentojmë që të krijojmë sa më shumë spinn of, në bashkëpunim mes UBT-së dhe bizneseve të tjera. Presim grante edhe nga Qeveria e Kosovës. Ne kemi marrë konfirmimet nga të gjitha bankat, edhe nga TEB-i në këtë rast, që duan që të ndihmojnë në bizneset e grave”, theksoi dr.Hajrizi.
Dr.Hajrizi bëri të ditur se shfrytëzuesit e parë vetëm janë përzgjedhur dhe do ta kenë rastin ta shfrytëzojnë ketë program.
“Ky muaj, apo ky segment kohor, është koha e përkrahjes nga populli amerikan që na ndihmuan me hapjen e bibliotekës dhe tash edhe me këtë program”, theksoi ndër të tjera dr.Hajrizi.
Koordinatori i projektit, z. Naim Preniqi shprehi fillimisht falënderime për Ambasadën Amerikane dhe për pjesëmarrësit e tjerë në këtë projekt.
“Qëllimi ka qenë të formohet Qendra e Ndërmarrësisë në UBT. Projekti ka filluar në vitin 2014. Fillimisht në të morën pjesë rreth 150 studentë, prej tyre dolën mbi 40 biznes-plane të cilat e kanë kaluar një fazë të monitorimit nga profesorët. Disa nga ta që ishin më të suksesshëm janë shpërblyer me certifikata. Një ndër pikat e tjera të inkubatorit ka qenë themelimi i inkubatorit virtual, ku ka pasur prezantime gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit të kaluar. Në themelimin e inkubatorit kanë ndihmuar ekspertë amerikanë”, tha z.Preniqi.
Lidhur me përkrahjen e bizneseve në fushën e teknologjisë informative foli Betim Gashi, i cili theksoi se ndërmarrësit e rinj do të përkrahen me shërbime të ndryshme elektronike.
Më fund të ceremonisë u dhanë certifikata dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë projekt. Mes të tjerësh, me mirënjohje u nderua edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, por edhe inkubistët e parë.