Në kuadër të projektit për Inkubatorin Virtual të Kosovës dhe Qendrën për fillimin e bizneseve të reja, UBT ka organizuar një varg punëtorish me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë të kësaj fushe. George Lantzas ishte eksperti i radhës i cili mori pjesë në punëtorinë e radhës, ku janë diskutuar një varg temash me interes.
Temë e veçantë e punëtorisë ishte ndërlidhja e modelit te UBT me praktikat e mira ndërkombëtare për funksionimin e inkubatorit brenda UBT-së, jetësimi i tij dhe përshtatja sa më e mirë me rrethanat në Kosovë, duke bërë që ky inkubator të jetë përkrahës i ndërmarrësve dhe ideatorëve të rinj dhe të rezultojë me sukses.
Ky inkubator planifikohet të ketë një hapësirë të veten përbrenda UBT-së me pajisje përcjellëse dhe hapësirë pune. Ai do të jetë i gatshëm brenda 30 ditëve të ardhshme, ku edhe do të hapet konkursi për studentët dhe alumin e UBT-së që të aplikojnë dhe të sjellin idetë e tyre.
Inkubatori i biznesit është projekt i përbashkët i UBT-së dhe Ambasadës së SHBA në Kosovë.
Gjithashtu, në kuadër të inkubatorit të biznesit do të publikohet një magazinë mbi ndërmarrësinë, me disa edicione brenda vitit.