Në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë
Nga rreth 40 biznes-plane, të realizuara nga rreth 200 studentë, me përkrahjen e profesorëve të tyre, sot u përzgjodhën biznes-planet e realizuara më mirë dhe hartuesit e tyre u nderuan me diploma
Në kampusin e UBT-së u zhvillua ceremonia e përzgjedhjes së biznes-planeve, të realizuara në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë.
Nga rreth 40 biznes-plane, të realizuara nga rreth 200 studentë, me përkrahjen e profesorëve të tyre, sot u përzgjodhën biznes-planet e realizuara më mirë dhe hartuesit e tyre u nderuan me diploma.
Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave.
Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, në një fjalë rasti në hapje të ceremonisë, theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të UBT-së për përkrahjen e studentëve në realizimin e projekteve në fushën e ndërmarrësisë dhe në fusha të tjera, si dhe falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për përkrahjen e Projektit për Ndërmarrësi dhe projektet e tjera të UBT-së.
“Ne kemi marrë përkrahje nga Ambasada e SHBA për promovimin e ndërmarrësisë në UBT dhe në Kosovë. Qëllimi i projektit është promovimi sa më i madh i ndërmarrësisë, që konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha që mund të ndikojë në zhvillim dhe në punësim. Për rritjen e punësimit ka dy rrugë: e para, t’i zhvillojmë ndërmarrjet tona ekzistuese, që të gjenerojnë zhvillim dhe punësim më të madh dhe, e dyta, që të krijojmë ndërmarrje të reja”, theksoi z.Hajrizi.
Nga aspekti i analizës së tregut, ndërmarrësia në Kosovë ka mundësi shumë të mëdha dhe të zhvillimit, duke pasur parasysh edhe faktin se kosovarët kanë një shpirt për ndërmarrësi, vijoi ai.
“Ne dëshirojmë që studentët tanë, para se t’i përfundojnë studimet, të përfitojnë dije dhe kompetencë për ndërmarrësi. Ju e dini se ndërmarrësia dhe inovacioni janë termet që përdoren më së shumti në shkolla dhe në të gjitha zhvillimet që konsiderohen të suksesshme. Ndërmarrësia nuk nënkupton vetëm të hapni biznese të reja, por të keni një kompetencë ndërmarrësie edhe brenda organizatës dhe të krijoni qasje proaktive, ide të reja, modele të reja, të plotësoni nevojat dhe kërkesat e tregut dhe të klientit, sa më mirë dhe sa më shpejt”, theksoi Hajrizi.
Projekti për Ndërmarrësi përfshin një varg aktivitetesh, që nga debati, nga ideja e deri te biznes-planet. Ideja është që debati për këtë fushë të dalë edhe jashtë UBT-së dhe të përfshijë gjithë shoqërinë. Po në kuadër të projektit do të jetë edhe një publikim, një revistë profesional shkencor në fushën e ndërmarrësisë, që do të përfshijë analiza dhe rastet e suksesit në ndërmarrësi, në mënyrë që edhe të tjerët të kenë qasje dhe të shohin zhvillimet në këtë fushë, shpjegoi Hajrizi.
Gjithashtu, në kuadër të projektit, do të krijohet edhe Biblioteka për ndërmarrësi, ku të gjithë të interesuarit do të kenë qasje në informacionet nga kjo fushë.
Pjesë e projektit do të jetë edhe një inkubator virtual. Ideja është që qytetarët dhe studentët të mos kenë nevojë të qëndrojnë gjithnjë në një tavolinë, por të mund të marrin edhe shërbime, të komunikojnë dhe ta udhëheqin fazën e inkubimit edhe në forma virtuale. Do të krijohet një platformë shumë moderne, që do të jetë mbështetje e fuqishme për ndërmarrësit e rinj, tha Hajrizi.
Duke falënderuar edhe një herë Ambasadën e SHBA, z.Hajrizi theksoi se i gjithë projekti do të përmbyllet deri në fund të muajit mars.
Z.Hajrizi theksoi se UBT është duke përfunduar objektin e ri të Kampusit Inovativ të UBT-së, që do të jetë përkrahje e madhe për idetë e reja e deri në realizimin e tyre. Ky kampus është pjesë e Organizatës Ndërkombëtare Shkencore Teknologjike, gjë që mundëson rrjetëzimin me të gjitha parqet teknologjike në botë dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.
“Viti 2015 do të jetë vit i krijimit të një ambienti shumë mbështetës për ndërmarrësit e rinj, me një vëllim më të madh sesa që jemi mësuar në Kosovë. Për këtë, unë i falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar, sidomos Ambasadën e SHBA-ve, jo vetëm për mbështetjen financiare, por edhe për promovimin e ndërmarrësisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës. Ju e dini se kultura e ndërmarrësisë vjen nga SHBA dhe ne jemi të interesuar të mësojmë nga kjo përvojë”, tha rektori i UBT-së, z.Edmond Hajrizi.
Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay theksoi se qëllim kryesor i Ambasadës Amerikane në Kosovë është zhvillimi i ekonomisë private dhe ndërmarrësia është rruga kryesore për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe ekonomisë së Ballkanit.
“Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin midis UBT-së dhe Ambasadës së SHBA-ve dhe shpresoj se do të bashkëpunojmë edhe disa herë të tjera. Dua të falënderoj studentët për interesin e treguar në fushën e ndërmarrësisë, rektorin dhe ekipin e projektit. Unë kamë qenë në Kosovë për më shumë se një vit e gjysmë dhe kam parë se kosovarët janë shumë të talentuar në fushën e biznesit. Mendoj që ne mund të bashkëpunojmë për zhvillimin e konceptit. Ju keni nevojë për të modernizuar qasjen për ndërmarrësi dhe ne mund të ndihmojmë në këtë drejtim”, theksoi z. Gangopadhyay.
Në vijim të ceremonisë u prezantuan biznes-planet e përzgjedhura si më të realizuarat nga më shumë se 40 projekte të realizuara.
Vendi i parë, për projektin e realizuar, i takoi projektit të emërtuar “Glass Recycling”, një ide për një kompani për riciklimin e qelqit. Autorë të këtij projekti ishin studentët: Florian Piraj, Perparim Salihu, Mimoza Braha, Njazi Shehu e Uran Cabra.
Me vendin e dytë u nderuar dy biznes-plane: “Fish’n’Chips”, projekt për dyqan peshku e pomfriti, ide e realizuar nga studentët Pajtim Shala, Shpend Zhuja, Leutrim Sopjani, Daut Ibrahimi e Faton Latifi, si dhe biznes-plani i emërtuar “ProBike”, një ide për krijimin e një kompanie që ofron dhe promovon përdorimin e biçikletave nga qytetarët e Prishtinës, realizuar nga studentët Teuta Dervishi, Armira Fetoshi, Palush Doda, Kaltrina Mehmeti e Erza Mehmeti.
Me vendin e tretë u nderua biznes-plani “BioShop”, një ide për një dyqan prodhimesh bio, realizuar nga studentët Marigona Xhemajli, Dina Demiri, Fatbardha Pacolli, Donika Ismaili e Anesa Hoxha.
Legjenda:
- Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave
- Rektori Hajrizi flet për Projektin për Ndërmarrësi
- Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay flet në ceremoninë e organizuar në UBT