28 shtator – Studentët e UBT-së, Bujar Statovci dhe Gent Berisha kanë fituar një grant nga organizata humanitare gjermane “HELP KOSOVA” për zhvillimin e një projekti të tyre, realizimi i të cilit ka nisur me ndihmën dhe përkrahjen e inkubatorit të biznesit të UBT-së. Kjo organizatë jep grante për çdo vit, në bashkëpunim me komunat e Kosovës.
Projekti i studentëve të UBT-së synon krijimin e një kompanie e cila do të ofrojë produkte arkitektonike inovative, duke pasur aftësinë e mobilitetit-lëvizjes dhe sistemin e tipit montazh, duke mundësuar krijimin e ndërtimeve ”CUBE” shumëfunksionale dhe vetëfurnizuese dhe duke aplikuar edhe teknologjitë më të reja në materiale të ndryshme të cilat mundësojnë që ato të jenë eko dhe të vetëmirëmbajtura.
Qëllimi kryesor është të sjellim risi dhe inovacion brenda profesionit tonë dhe furnizimin e tregut vendor dhe rajonal me këto lloj ndërtimesh-produktesh, thonë ata.
Genti dhe Bujari idenë e projektit e kanë krijuar pas hulumtimit të disa sistemeve të reja të ndërtimit dhe të arkitekturës. Pas kësaj, ata aplikuan me idenë e tyre në Inkubatorin e krijuar në UBT, ku ideja e tyre ishte njëra ndër idetë fituese. Ata vazhduan të punojnë në Inkubatorin e UBT-së drejt përpilimit të një biznes-plani për idenë e tyre.
“Gjithmonë kemi pasur ndihmën profesionale dhe përkrahjen e ekipit punues të Inkubatorit, që ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për hedhjen e hapave të parë drejt realizimit të qëllimeve tona. Inkurajojmë të gjithë studentët të cilët kanë dëshirë, ambicie apo ide për ndonjë biznes inovativ të bëhen pjesë e inkubatorit ku do të gjejnë përkrahje profesionale. Ne falënderojmë UBT-në për mundësitë qe na ka dhënë dhe shpresojmë që suksesi ynë në të ardhmen të jetë një reflektim i ndihmesës dhe përkrahjes së UBT-së”, shprehen ata.