Me projektin e zhvilluar në inkubatorin e UBT-së fitojnë grant nga “HELP KOSOVA”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

28 shtator – Studentët e UBT-së, Bujar Statovci dhe Gent Berisha kanë fituar një grant nga organizata humanitare gjermane “HELP KOSOVA” për zhvillimin e një projekti të tyre, realizimi i të cilit ka nisur me ndihmën dhe përkrahjen e inkubatorit të biznesit të UBT-së. Kjo organizatë jep grante për çdo vit, në bashkëpunim me komunat e Kosovës.

Projekti i studentëve të UBT-së synon krijimin e një kompanie e cila do të ofrojë produkte arkitektonike inovative, duke pasur aftësinë  e mobilitetit-lëvizjes dhe sistemin e tipit montazh, duke mundësuar krijimin e ndërtimeve ”CUBE” shumëfunksionale dhe vetëfurnizuese dhe duke aplikuar edhe teknologjitë më të reja në materiale të ndryshme të cilat mundësojnë që ato të jenë eko dhe të vetëmirëmbajtura.

 

Qëllimi kryesor është të sjellim risi dhe inovacion brenda profesionit tonë dhe furnizimin e tregut vendor dhe rajonal me këto lloj ndërtimesh-produktesh, thonë ata.

 

Genti dhe Bujari idenë e projektit e kanë krijuar pas hulumtimit të disa sistemeve të reja të ndërtimit dhe të arkitekturës. Pas kësaj, ata aplikuan me idenë e tyre në Inkubatorin e krijuar në UBT, ku ideja e tyre ishte njëra ndër idetë fituese. Ata vazhduan të punojnë në Inkubatorin e UBT-së drejt përpilimit të një biznes-plani për idenë e tyre.

 

“Gjithmonë kemi pasur ndihmën profesionale dhe përkrahjen e ekipit punues të Inkubatorit, që ka qenë një ndihmesë shumë e madhe për hedhjen e hapave të parë drejt realizimit të qëllimeve tona. Inkurajojmë të gjithë studentët të cilët kanë dëshirë, ambicie apo ide për ndonjë biznes inovativ të bëhen pjesë e inkubatorit ku do të gjejnë përkrahje profesionale. Ne falënderojmë UBT-në për mundësitë qe na ka dhënë dhe shpresojmë që suksesi ynë në të ardhmen të jetë një reflektim i ndihmesës dhe përkrahjes së UBT-së”, shprehen ata.

UBT dhe TEB Bank nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për biznese të reja dhe inkubator të biznesit

UBT ka nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi, në vazhdën e zgjerimit të bashkëpunimit me institucione vendore e ndërkombëtare, në të mirë të krijimit të kushteve sa më të mira për studime dhe për hulumtime për studentët, por edhe për stafin e institucioneve partnere.

 

Marrëveshja e nënshkruar dje me bankën TEB ndërlidhet me shfrytëzimin e inkubatorit të biznesit në UBT nga kjo bankë, me qëllim të avancimit të ndërmarrësisë për studentë dhe entuziastë me ide inovative biznesi.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi dhe zëvendësdrejtori menaxhues në TEB, z.Arton Celina.

 

UBT dhe TEB zhvillojnë bashkëpunim edhe në fusha të tjera dhe janë partnerë në shumë projekte në ndërmarrësi.

UBT organizoi punëtori me ekspertë ndërkombëtarë me pjesëmarrësit e inkubatorit të biznesit

Në kuadër të projektit për Inkubatorin Virtual të Kosovës dhe Qendrën për fillimin e bizneseve të reja, UBT ka organizuar një varg punëtorish me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë të kësaj fushe. George Lantzas ishte eksperti i radhës i cili mori pjesë në punëtori, ku shpalosi praktikat dhe metodat më të mira të zhvillimit të inkubatorit.

 

Pjesë e veçantë e punëtorisë ishte takimi i z. George Lantzas me pjesëmarrësit e inkubatorit, ku u diskutua për fazat e zhvillimit të ideve, barrierat më të cilat janë duke u përballur pjesëmarrësit e inkubatorit, targetimi i klientëve, mënyrat e gjetjes së fondeve, jetësimi i ideve dhe përshtatja sa më e mirë në treg.

 

Hapja e Inkubatorit Virtual të Kosovës dhe Qendrës për fillimin e bizneseve të reja është bërë më 3 qershor 2015. Pjesëmarrëseve të inkubatorit do t’ju ofrohen shërbime nga fusha të ndryshme në bazë të nevojave të tyre.

 

Si pjesë e inkubatorit është vendosur këndi i ndërmarrësisë, libraria me titujt më të fundit nga fusha e ndërmarrësisë, publikimi i revistës “Etrepreneurship Journal”, platforma online, etj.

Në UBT u inaugurua Inkubatori Virtual i Kosovës dhe Startup Qendra

UBT logo

Në një ceremoni të organizuar sot në UBT, u bë inaugurimi i Inkubatorit Virtual të Kosovës dhe Start up Qendrës në UBT, të krijuara me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, përfaqësues të institucioneve dhe të biznesit, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave.

Pos projektit të inauguruar sot, Ambasada e SHBA ka përkrahur garën për biznes-plane të studentëve të UBT-së, ndërsa në kuadër të projektit është publikuar edhe revista “UBT Entrepreneurship Journal”, në të cilën janë publikuar një varg aktivitetesh, si dhe janë prezantuar ish-studentë të UBT-së, të suksesshëm në bizneset e tyre.

“Ky moment është historik. Një inkubator virtual i Kosovës. Kemi theksuar edhe në përmbylljen e pjesës së parë të projektit – Misioni ynë, vizioni ynë, ëndrra jonë po realizohet me ndihmën e Ambasadës Amerikane. Është një proces që ndihmon të gjithë këta pjesëmarrës. Pika e parë është që UBT ka program për Biznes dhe Teknologji. Shkolla që kanë mundësi të gjenerimit të ideve e produkteve. UBT është shkolla më e madhe e ICT në Ballkan. Këtë pjesë duhet ta shfrytëzojmë që studentëve t’ua mundësojmë të krijojnë ndërmarrësi. T’i mbështesim e të gjenerojmë vende të reja të punës e të krijojmë ndërmarrje në Kosovë. Janë të gjitha kushtet që ne ta mbështesim zhvillimin”, theksoi rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, duke folur në ceremoni.

Sipas tij, virtualizimi i inkubatorit mundëson që nga forma fizike të mbështeten në formën virtuale. “Ne kemi mbështetje regjionale. Mendoj se do të ketë shumë rezultate. Ne e kemi testuar në UBT, e ka pjesën e network, pjesën private etj. Pra i ka të gjitha që na nevojiten”, vijoi Hajrizi.

Z.Hajrizi theksoi në vazhdim se idetë e reja do të mbështeten nga këndi i ndërmarrësisë. “Me mbështetjen e Ambasadës së SHBA ne kemi arritur që ta krijojmë këtë. Në të gjitha qytetet ne do ta krijojmë një kësi këndi. Me këtë krijohet një decentralizim/regjionalizim. Ne do të mbështesim të gjitha bizneset, por do të ketë përparësi inovacioni”, theksoi z.Hajrizi.

Duke u ndërlidhur me inovacionin, ai përkujtoi se studentët e UBT-së e kanë zënë vendin e parë në NASA me idetë e tyre.

Ai gjithashtu tha se UBT është një nga universitetet e vetme që ka lëndë profesionale.

”Ne duhet të identifikojmë pjesën e njerëzve më të dalluar. Sa prej tyre do të regjistrojnë biznese, ne do të tentojmë që të krijojmë sa më shumë spinn of, në bashkëpunim mes UBT-së dhe bizneseve të tjera. Presim grante edhe nga Qeveria e Kosovës. Ne kemi marrë konfirmimet nga të gjitha bankat, edhe nga TEB-i në këtë rast, që duan që të ndihmojnë në bizneset e grave”, theksoi dr.Hajrizi.

Dr.Hajrizi bëri të ditur se shfrytëzuesit e parë vetëm janë përzgjedhur dhe do ta kenë rastin ta shfrytëzojnë ketë program.

“Ky muaj, apo ky segment kohor, është koha e përkrahjes nga populli amerikan që na ndihmuan me hapjen e bibliotekës dhe tash edhe me këtë program”, theksoi ndër të tjera dr.Hajrizi.

Koordinatori i projektit, z. Naim Preniqi shprehi fillimisht falënderime për Ambasadën Amerikane dhe për pjesëmarrësit e tjerë në këtë projekt.

“Qëllimi ka qenë të formohet Qendra e Ndërmarrësisë në UBT. Projekti ka filluar në vitin 2014. Fillimisht në të morën pjesë rreth 150 studentë, prej tyre dolën mbi 40 biznes-plane të cilat e kanë kaluar një fazë të monitorimit nga profesorët. Disa nga ta që ishin më të suksesshëm janë shpërblyer me certifikata. Një ndër pikat e tjera të inkubatorit ka qenë themelimi i inkubatorit virtual, ku ka pasur prezantime gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit të kaluar. Në themelimin e inkubatorit kanë ndihmuar ekspertë amerikanë”, tha z.Preniqi.

Lidhur me përkrahjen e bizneseve në fushën e teknologjisë informative foli Betim Gashi, i cili theksoi se ndërmarrësit e rinj do të përkrahen me shërbime të ndryshme elektronike.

Më fund të ceremonisë u dhanë certifikata dhe mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë projekt. Mes të tjerësh, me mirënjohje u nderua edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, por edhe inkubistët e parë.

Në UBT u zhvillua ceremonia e përzgjedhjes së biznes-planeve më të mira

Në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë

Nga rreth 40 biznes-plane, të realizuara nga rreth 200 studentë, me përkrahjen e profesorëve të tyre, sot u përzgjodhën biznes-planet e realizuara më mirë dhe hartuesit e tyre u nderuan me diploma

 

Në kampusin e UBT-së u zhvillua ceremonia e përzgjedhjes së biznes-planeve, të realizuara në kuadër të Projektit për Ndërmarrësi të përkrahur nga Ambasada e SHBA në Prishtinë.

Nga rreth 40 biznes-plane, të realizuara nga rreth 200 studentë, me përkrahjen e profesorëve të tyre, sot u përzgjodhën biznes-planet e realizuara më mirë dhe hartuesit e tyre u nderuan me diploma.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave.

Rektori i UBT-së, dr.Edmond Hajrizi, në një fjalë rasti në hapje të ceremonisë, theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të UBT-së për përkrahjen e studentëve në realizimin e projekteve në fushën e ndërmarrësisë dhe në fusha të tjera, si dhe falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për përkrahjen e Projektit për Ndërmarrësi dhe projektet e tjera të UBT-së.

“Ne kemi marrë përkrahje nga Ambasada e SHBA për promovimin e ndërmarrësisë në UBT dhe në Kosovë. Qëllimi i projektit është promovimi sa më i madh i ndërmarrësisë, që konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha që mund të ndikojë në zhvillim dhe në punësim. Për rritjen e punësimit ka dy rrugë: e para, t’i zhvillojmë ndërmarrjet tona ekzistuese, që të gjenerojnë zhvillim dhe punësim më të madh dhe, e dyta, që të krijojmë ndërmarrje të reja”, theksoi z.Hajrizi.

Nga aspekti i analizës së tregut, ndërmarrësia në Kosovë ka mundësi shumë të mëdha dhe të zhvillimit, duke pasur parasysh edhe faktin se kosovarët kanë një shpirt për ndërmarrësi, vijoi ai.

“Ne dëshirojmë që studentët tanë, para se t’i përfundojnë studimet, të përfitojnë dije dhe kompetencë për ndërmarrësi. Ju e dini se ndërmarrësia dhe inovacioni janë termet që përdoren më së shumti në shkolla dhe në të gjitha zhvillimet që konsiderohen të suksesshme. Ndërmarrësia nuk nënkupton vetëm të hapni biznese të reja, por të keni një kompetencë ndërmarrësie edhe brenda organizatës dhe të krijoni qasje proaktive, ide të reja, modele të reja, të plotësoni nevojat dhe kërkesat e tregut dhe të klientit, sa më mirë dhe sa më shpejt”, theksoi Hajrizi.

Projekti për Ndërmarrësi përfshin një varg aktivitetesh, që nga debati, nga ideja e deri te biznes-planet. Ideja është që debati për këtë fushë të dalë edhe jashtë UBT-së dhe të përfshijë gjithë shoqërinë. Po në kuadër të projektit do të jetë edhe një publikim, një revistë profesional shkencor në fushën e ndërmarrësisë, që do të përfshijë analiza dhe rastet e suksesit në ndërmarrësi, në mënyrë që edhe të tjerët të kenë qasje dhe të shohin zhvillimet në këtë fushë, shpjegoi Hajrizi.

Gjithashtu, në kuadër të projektit, do të krijohet edhe Biblioteka për ndërmarrësi, ku të gjithë të interesuarit do të kenë qasje në informacionet nga kjo fushë.

Pjesë e projektit do të jetë edhe një inkubator virtual. Ideja është që qytetarët dhe studentët të mos kenë nevojë të qëndrojnë gjithnjë në një tavolinë, por të mund të marrin edhe shërbime, të komunikojnë dhe ta udhëheqin fazën e inkubimit edhe në forma virtuale. Do të krijohet një platformë shumë moderne, që do të jetë mbështetje e fuqishme për ndërmarrësit e rinj, tha Hajrizi.

Duke falënderuar edhe një herë Ambasadën e SHBA, z.Hajrizi theksoi se i gjithë projekti do të përmbyllet deri në fund të muajit mars.

Z.Hajrizi theksoi se UBT është duke përfunduar objektin e ri të Kampusit Inovativ të UBT-së, që do të jetë përkrahje e madhe për idetë e reja e deri në realizimin e tyre. Ky kampus është pjesë e Organizatës Ndërkombëtare Shkencore Teknologjike, gjë që mundëson rrjetëzimin me të gjitha parqet teknologjike në botë dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.

“Viti 2015 do të jetë vit i krijimit të një ambienti shumë mbështetës për ndërmarrësit e rinj, me një vëllim më të madh sesa që jemi mësuar në Kosovë. Për këtë, unë i falënderoj të gjithë ata që na kanë ndihmuar, sidomos Ambasadën e SHBA-ve, jo vetëm për mbështetjen financiare, por edhe për promovimin e ndërmarrësisë në regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës. Ju e dini  se kultura e ndërmarrësisë vjen nga SHBA dhe ne jemi të interesuar të mësojmë nga kjo përvojë”, tha rektori i UBT-së, z.Edmond Hajrizi.

Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay theksoi se qëllim kryesor i Ambasadës Amerikane në Kosovë është zhvillimi i ekonomisë private dhe ndërmarrësia është rruga kryesore për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe ekonomisë së Ballkanit.

“Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin midis UBT-së dhe Ambasadës së SHBA-ve dhe shpresoj se do të bashkëpunojmë edhe disa herë të tjera. Dua të falënderoj studentët për interesin e treguar në fushën e ndërmarrësisë, rektorin dhe ekipin e projektit. Unë kamë qenë në Kosovë për më shumë se një vit e gjysmë dhe kam parë se kosovarët janë shumë të talentuar në fushën e biznesit. Mendoj që ne mund të bashkëpunojmë për zhvillimin e konceptit. Ju keni nevojë për të modernizuar qasjen për ndërmarrësi dhe ne mund të ndihmojmë në këtë drejtim”, theksoi z. Gangopadhyay.

Në vijim të ceremonisë u prezantuan biznes-planet e përzgjedhura si më të realizuarat nga më shumë se 40 projekte të realizuara.

Vendi i parë, për projektin e realizuar, i takoi projektit të emërtuar “Glass Recycling”, një ide për një kompani për riciklimin e qelqit. Autorë të këtij projekti ishin studentët: Florian Piraj, Perparim Salihu, Mimoza Braha, Njazi Shehu e Uran Cabra.

Me vendin e dytë u nderuar dy biznes-plane: “Fish’n’Chips”, projekt për dyqan peshku e pomfriti, ide e realizuar nga studentët Pajtim Shala, Shpend Zhuja, Leutrim Sopjani, Daut Ibrahimi e Faton Latifi, si dhe biznes-plani i emërtuar “ProBike”, një ide për krijimin e një kompanie që ofron dhe promovon përdorimin e biçikletave nga qytetarët e Prishtinës, realizuar nga studentët Teuta Dervishi, Armira Fetoshi, Palush Doda, Kaltrina Mehmeti e Erza Mehmeti.

Me vendin e tretë u nderua biznes-plani “BioShop”, një ide për një dyqan prodhimesh bio, realizuar nga studentët Marigona Xhemajli, Dina Demiri, Fatbardha Pacolli, Donika Ismaili e Anesa Hoxha.

 

Legjenda:

  1. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay, mysafirë të tjerë, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues të mediave
  2. Rektori Hajrizi flet për Projektin për Ndërmarrësi
  3. Udhëheqësi i Projektit për Ndërmarrësi nga Ambasada e SHBA, z. Kanishka Gangopadhyay flet në ceremoninë e organizuar në UBT

UBT organizoi punëtori me ekspertë ndërkombëtarë për themelimin e inkubatorit të biznesit

Në kuadër të projektit për Inkubatorin Virtual të Kosovës dhe Qendrën për fillimin e bizneseve të reja, UBT ka organizuar një varg punëtorish me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë të kësaj fushe. George Lantzas ishte eksperti i radhës i cili mori pjesë në punëtorinë e radhës, ku janë diskutuar një varg temash me interes.

Temë e veçantë e punëtorisë ishte ndërlidhja e modelit te UBT me praktikat e mira ndërkombëtare për funksionimin e inkubatorit brenda UBT-së, jetësimi i tij dhe përshtatja sa më e mirë me rrethanat në Kosovë, duke bërë që ky inkubator të jetë përkrahës i ndërmarrësve dhe ideatorëve të rinj dhe të rezultojë me sukses.

Ky inkubator planifikohet të ketë një hapësirë të veten përbrenda UBT-së me pajisje përcjellëse dhe hapësirë pune. Ai do të jetë i gatshëm brenda 30 ditëve të ardhshme, ku edhe do të hapet konkursi për studentët dhe alumin e UBT-së që të aplikojnë dhe të sjellin idetë e tyre.

Inkubatori i biznesit është projekt i përbashkët i UBT-së dhe Ambasadës së SHBA në Kosovë.

Gjithashtu, në kuadër të inkubatorit të biznesit do të publikohet një magazinë mbi ndërmarrësinë, me disa edicione brenda vitit.